Ministri Faton Peci merr veturën tjetër luksoze të Burdushit “Audi A7”
Një tjetër veturë luksoze e tipit “Audi A7”, që dikur ishte në pronësi në Hysri Peqanit (Burdushit), i është dhënë për shfrytëzim ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
Sipas burimeve të Front Online, vetura në fjalë ende nuk është duke u përdorur nga ministri Peci për shkak se ajo duhet të regjistrohet në emër të Ministrisë së Bujqësisë.
“Makina Audi A7 e Burdushit i është dhënë Pecit, por ende nuk e shfrytëzon sepse duhet të regjistrohet në emër të Ministrisë së Bujqësisë”, ka thënë ky burim.
Front Online ka kontaktuar direkt ministrin Faton Peci por ai nuk e ka hapur telefonin, dhe as nuk i është përgjigjur mesazheve të shumëta që i kemi dërguar.
E-mail u është dërguar edhe këshilltarëve politikë të ministrit Peci, por as ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Ngjashëm kanë vepruar edhe nga zyra për Informim pranë kësaj Ministrie.
Përgjigje nuk kanë kthyer as nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar anipse këta të fundit përmes një e-maili kërkuan që pyetjet t’ua adresojmë nëpërmjet zyrës për komunikim në Ministrinë e Drejtësisë.
Në fotografitë e siguruara shihet vetura me ngjyrë të bardhë “Audi A7”, e cila ka disa ditë që po qëndron e parkuar në garazhet e Ministrisë së Bujqësisë në Prishtinë, të cilën së shpejti do ta marrë në shfrytëzim ministri Peci, pasi të regjistrohet, njejtë siç ka vepruar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, me veturën “Range Rover”, poashtu pronë e konfiskuar e mjekut popullor Hysri Peqani-Burdushi.
Ministri Sveçla merr veturën luksoze “Range Rover” të Burdushit