Ministri francez: Çështja e Kosovës mund të shkaktojë përçarje në KiE
Ministri francez për Çështjet Evropiane, Jean-Noel Barrot, ka thënë të premten se Franca mendon se në këtë fazë ekziston rreziku që çështja e Kosovës të shkaktojë përçarje ndërmjet vendeve në Këshillin e Evropës dhe se sipas tij “kjo çështje duhet të shqyrtohet më vonë, kur (Kosova, v.j.) të kalojë rrugën që ne besojmë se kërkohet për ta kaluar atë”.
Ai u ka thënë gazetarëve para seancës së Këshillit të Ministrave se Franca është një nga anëtarët e Këshillit të Evropës që e njeh Kosovën dhe beson se në të ardhmen Kosova do të jetë pjesë e KiE-së, raporton “Euronews”, dega në Beograd, transmeton “RTKlive”.
“Megjithatë, Franca mendon se në këtë drejtim, Kosova ende duhet të kalojë një rrugë të caktuar dhe Franca është në dispozicion për ta shoqëruar Kosovën në atë rrugë”, ka thënë Barrot, duke lënë të nënkuptohet se çështja e Asociacionit është kusht për rrugën tutje të Kosovës për në KiE.