Ministri i FSK-së priti një delegacion të deputetëve nga radhët e komuniteteve
Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka pritur të enjten në takim një delegacion nga radhët e komuniteteve, të prirë nga Veton Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës, Bashkim Krasniqi zëvendësministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Isa Osmani këshilltar i Kryeministrit dhe Arlind Zogaj pjesëtar i FSK-së.
Ministri Berisha ka falënderuar delegacionin për vizitën e parë të realizuar në Ministrinë e FSK-së dhe njëherësh i ka njoftuar ata për të arriturat e përgjithshme të FSK-së, aktivitetet e tanishme si dhe planet për zhvillimin e FSK-së dhe transformimin e saj në Forca të Armatosura të Kosovës.
Ministri Berisha, mysafirët i ka njoftuar edhe për misionin duke u shpreh se FSK-ja është një forcë profesionale dhe shumetnike që i përket gjithë popullit të Kosovës dhe është në shërbim të gjithë qytetarëve pa dallime etnie.
Ndërkaq deputeti i Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha, në emër të delegacionit që përfaqësonte e ka falënderuar ministrin Berisha për pritjen si dhe e ka përgëzuar për punën dhe të arriturat e përgjithshme, duke u shprehur se është pro formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.
Gjatë takimit u bisedua edhe për mundësinë e përfshirjes së pjesëtarëve të komunitetit egjiptian dhe atij ashkali në radhët e FSK-së.