Ministri Gashi: Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ofron siguri
Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka vizituar të premten Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku u prit nga drejtori i aeroportit, Haldun Firat Kokturk.
Gjatë kësaj vizite, ministri Gashi dhe drejtori i ANP-së Kokturk kanë biseduar lidhur me gjendjen aktuale të sigurisë, punën dhe të arriturat në aeroportin “Adem Jashari”.
Me këtë rast, ministri Gashi u shpreh se aeroporti qëndron jashtëzakonisht mirë, sa i përket sigurisë, kjo duke vlerësuar krijimin e hapësirës për bashkëpunim, e cila ndihmon në koordinimin e veprimeve mes institucioneve të sigurisë dhe aeroportit. “Është shumë me rëndësi ofrimi i sigurisë,për arsye se për qytetarët që udhëtojnë duhet të mbizotërojë ndjenja e sigurisë, e cila e bënë më të lehtë udhëtimin”, ka thënë ministri Gashi.
Ndërsa drejtori i aeroportit, Haldun Kokturk, i ka prezantuar ministrit Gashi projektet e planifikuara të zbatohen të ardhmen në ANP.
Ai ka thënë se ka një bashkëpunim shumë të mirë me institucionet e sigurisë dhe është i gatshëm për zbatimin e çfarëdo rekomandimi që i vjen nga MPB.
Po ashtu, ministri Gashi ka vizituar edhe Agjencinë e Shërbimit të Navigimit Ajror, ku u njoh me rrjedhën e punëve që zhvillohen atje.
Ai ka vlerësuar mekanizmat e kontrollit të cilët i bënë Ministria e Punëve të Brendshme përmes divizionit për Siguri të Aviacionit nga Departamenti për Siguri Publike dhe theksoi se bashkëpunimi i mirë mes MPB-së dhe aeroportit do të vazhdoi edhe në të ardhmen.