Ministri Gashi: Do t’i mbështesim të rinjtë me mbi 1 milion euro
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka marrë pjesë në konferencën e Kuvendit të të Rinjve, e cila është organizua me rastin e përfundimit të projektit të financuar nga kjo ministri, “Aktivizmi qytetar përmes aktivizimit rinor”.
Me këtë rast, ministri Gashi, ka thënë se puna e bërë nga të rinjtë i përshtatet edhe kërkesave të tij.
“Puna që e keni bërë nëpër vende të ndryshme të Kosovës, përkon edhe me kërkesat e mia si ministër për ta pasur një dokument me një strategji të re e cila përfshinë ato që ju i keni thënë dhe i keni nxjerrë nga diskutimet nëpër komuna. Ajo që ishte e veçantë është se ne kemi filluar ndryshimin e ligjit për pjesëmarrjen e rinisë. Jam i vetëdijshëm që mosha e kufizuar deri në 24 është e ulët sepse edhe ata 28, 29 i takojnë moshës rinore”, ka thënë Gashi
Gashi ka thënë se MKRS-ja ka një fond i cili i mbështet projektet për të rinjtë. Sipas tij ky fiond kap vlerën e mbi 1 milion eurove.
“MKRS-ja tashmë e ka një fond të ri me 1 milion e 100 mijë euro i cili mbështet aktivitetet e të rinjve. Të rinjtë e kanë një partner i cili do ti mbështes dhe ai është Kuvendi i të Rinjve të Kosovës”, ka thënë ministri Gashi.
Ndërsa, sekretari i Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, Ndriqim Qekaj, ka thënë se ky projekt është bërë në 7 regjione, Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë, Prizren, mirëpo janë përfshirë edhe komuna të tjera përreth. Në aktivitet numri i pjesëmarrësve ka arritur në 315 të rinj.
/Epoka e re/