
Ministri Gashi interesohet në ShBA për krijimin e bondeve për diasporën
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi në ditën e fundit të vizitës në ShBA ka takuar drejtorin e programit për remitenca dhe migrim në Bankën Botërore, Dilip Ratha dhe Sonia Plaza, ekonomiste e lartë, me të cilët ka diskutuar rreth mundësive të bashkëpunimit në fushën e strukturimit në remitencave të diasporës dhe shndërrimit të tyre në një model të zhvillimit ekonomik dhe social.
Ministri Gashi i ka informuar bashkëbiseduesit me projektet e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, posaçërisht ato që lidhen me investimet strategjike. “Ne kemi një diasporë të madhe të shpërndarë në Evropë dhe ShBA dhe kontributi i kësaj diaspore në formën e remitencave është mbi një miliardë euro në vit. Ne i shikojmë ata si partnerë të rëndësishëm, investitorë serioz që mund t’i kanalizojnë këto remitenca drejt projekteve të rëndësishme në Kosovë”, ka thënë Gashi.
Zyrtarët e lartë të Bankës Botërore në anën tjetër e informuan ministrin Gashi për disa programe në të cilat janë duke punuar, e në veçanti atë të krijimit të bondeve për diasporën, një model i cili është duke u aplikuar që nga viti 1951 në Izrael, ndërsa së fundmi ka filluar të aplikohet edhe në Nigeri. “Ne mund t’ju ndihmojmë duke ju ofruar ekspertizën tonë në krijimin e bondeve të tilla, regjistrimin e tyre, të kemi rol këshillëdhënës”, ka thënë Ratha.
Në fund, ministri Gashi dhe zyrtarët e Bankës Botërore, u dakorduan që në takimet vjetore që organizohen nga BB, të jetë e ftuar tashmë edhe Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike për të prezantuar projektet dhe përvojat e deritashme.