Ministri Gashi jep dorëheqje nga pozita e asamblistit
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka dhënë dorëheqje nga pozita e asamblistit të Kuvendit Komunal të Prizrenit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Gashi ka bërë me dije se ka dhënë dorëheqje nga pozita e asamblistit për shkak të angazhimeve si ministër.
“Të nderuar qytetarë, anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës, Dega në Prizren. Sot kam dhënë dorëheqje nga pozita e Këshilltarit (Asamblistit) të Kuvendit Komunal të Prizrenit. Dorëheqja ime lidhet me punën time si Ministër dhe me pamundësinë për të dhënë kontributin tim si këshilltar komunal, por edhe me dëshirën për të mos mbajtur dy pozita në të njëjtën kohë. Gjithashtu dua t’i mundësoj një kolegut tjetër i cili do të më zëvendësojë mua në kuvendin e komunës”.
“Isha i nderuar që isha bartës i listës së kandidatëve për kuvendin komunal nga Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prizren, ku falë mbështetjes së madhe nga ju, ne morëm 19440 vota, një rritje e jashtëzakonshme e numrit të votave nga zgjedhjet e kaluara të vitit 2013. Faleminderit shumë!”, ka shkruar Gashi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/