Ministri Gashi jep shpërblimet për xhudistët
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka ndarë sot shpërblimet për xhudistët që kanë fituar medalje në Lojërat Evropiane të mbajtura në Minks të Bjellorusisë.
“Shpërblime dhe mirënjohje për ata që na bëjnë shpesh krenar. Me kënaqësi sot ndava shpërblimet për Driton Kukën dhe xhudistet tona, Majlindën, Norën e Lorianën. Këto shpërblime janë meritore dhe fakti më i qartë se kur punon edhe fiton. Fiton vlerësim, falënderim dhe respekt. E Dritoni dhe xhudistet tona i meritojnë të gjitha këto epitete sepse përpos që garojnë, ato e prezantojnë edhe vendin tonë në arenën ndërkombëtare, duke e ngritur edhe imazhin e shtetit të Kosovës. Urime Driton! Urime xhudiste!”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.
Majlinda Kelmendi është shpërblyer me 50 mijë euro për Medaljen e Artë, Driton Kuka si trajner i tri xhudisteve, Nora Gjakova me 30 mijë euro për Medaljen e Argjendtë dhe Loriana Kuka me 20 mijë euro për Medaljen e Bronztë.
/Epoka e re/