Ministri Gashi ka inspektuar punimet në renovimin e Kullës së Azem Galicës
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi inspektoi punimet që po bëhen për restaurimin dhe konsolidimin e Kullës së Azem Bejtës, në Galicë të Vushtrrisë, të cilat po bëhen nën koordinimin dhe monitorimin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë.
Me këtë rast, ministri Gashi vlerësoi punimet që po realizohen në projektin që MKRS-ja po financon në kuadër të revitalizimit të Kullës. Ai tha se “Ruajtja e monumenteve të rëndësishme historike të Republikës së Kosovës, do të mbetet përkushtimi i imi edhe në të ardhmen. Kulla e Azem Galicës, e ndërtuar në fund të shek. XIX, ishte djegur tri herë. Ajo ishte kullë fortesë dhe qëndrimi i përhershëm i komandantit në të, i dha popullit zemër dhe trimëri të shumëfishtë, me ç ‘rast u ngrit morali luftarak”.
“Në këtë kullë mbaheshin mbledhje dhe kuvende të rëndësishme, u morën vendime historike, andaj kjo kullë u bë pishtar i ndezur i lirisë” shtoi ministri Gashi.
Në kuadër të projektit restaurues dhe konsolidues është i planifikuar sanimi i mureve të kullës dhe të oborrit, pastrimi dhe rregullimi i konstruksioneve të drurit, rregullimi i oborrit dhe i varrezave.