Ministri Gashi: Luftimi i dhunës në familje, prioritet i MPB-së
Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka marrë pjesë në tryezën me temën “Dhuna në familje”, e cila është mbajtur në Gjakovë.
Kjo tryezë është organizuar nga ekipi veprues për siguri në bashkësi në Gjakovë, përkrahur nga Programi Ndërkombëtar i Asistencës në Trajnim për Hetimet Penale (ICITAP) dhe është mbështetur nga Departamenti për Siguri Publike në MPB, Policia e Kosovës, etj.
Me këtë rast, ministri Gashi ka thënë se parandalimi dhe luftimi i kësaj forme të kriminalitetit është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Si ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ju siguroj se përmes Policisë së Kosovës do të ndërmerren të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme në kuadër të përgjegjësive tona kushtetuese dhe ligjore, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të dhunës në familje, si dhe ndihmës së viktimave të kësaj forme të kriminalitetit”, ka thënë Gashi.
Ai ka theksuar se në nivel shtetëror, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Strategjinë kombëtare të Republikës së Kosovës për mbrojtje nga dhuna në familje dhe Planin e veprimit 2016 – 2020.
Më tutje, Gashi ka vënë në pah se në vitin 2017 në Policinë e Kosovës janë raportuar 1 269 raste të dhunës në familje, të cilat sipas tij janë hetuar, ku prej tyre janë ngritur 1 205 kallëzime penale.
Ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, sipas Gashit janë raportuar 628 raste të dhunës në familje, të cilat janë hetuar dhe prej tyre janë ngritur 556 kallëzime penale.
Në këtë tryezë me nga një fjalë rasti të pranishmeve i janë drejtuar edhe Kimberly Riffe, menaxhere e programit të ICITAP-it, Bedri Cahani, koordinator i ekipit veprues për siguri në bashkësi në Gjakovë, si dhe aktorë të tjerë që merren me dhunën në familje.
/Epoka e re/