Ministri Gashi: MKRS-ja do të jetë pranë personave të verbër
Për nder të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut Muzeu i Kosovës ka promovuar katalogun me imazhe taktile dhe të përkthyer në Brail, në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve në Kosovë.
Me këtë rast ministri r i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka thënë se promovimi i këtij katalogu është i rëndësishëm për personat e verbër.
“Ky katalog sigurisht që promovohet me ju dhe përtej katalogut promovojmë bashkëpunimin e gjatë tuajin me Muzeun e Kosovës. Imazhet taktile të paraqitura në këtë katalog, përmes shqisës së prekjes sjellin një pjesë të koleksionit të Muzeut më afër te personat e verbër dhe me dëmtime në të parë”, ka theksuar Gashi, duke vlerësuar se shkrimet në alfabetin e Brailit do t’u japin mundësi atyre të kuptojnë më shumë për historinë dhe tregimin e objekteve në Muzeun e Kosovës.
Gashi është zotuar se MKRS-ja do të vazhdojë të përkrah aktivitete të kësaj natyre dhe t’u gjendet afër edhe kësaj kategorie të njerëzve.
“Me lejoni t’iu siguroj se ky bashkëpunim do të vazhdojë, do të jemi së bashku edhe në shumë aktivitete tjera kurse në fund dua të falënderoj dhe përgëzoj stafin e Muzeut të Kosovës për përkushtimin e tyre dhe bashkëpunimin me ju”, është shprehur ministri Gashi.
Katalogu që u promovua sot në Muzeun e Kosovës me imazhe taktile përmes prekjes përmban kryesisht objekte nga sektori arkeologjik i muzeut.
Ndërkaq Daut Tishuku nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës, e ka falënderuar ministrin Gashi, MKRS-në dhe Muzeun e Kosovës që bën të mundur realizimin e këtij projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm për personat e verbër dhe me dëmtim në të parë.
“Kjo do të jetë një mundësi shtesë për ne që të njohim të kaluarën e popullit tonë, që përmes ndjesisë së prekjes të njohim arkeologjinë e Kosovës”, ka deklaruar Tishuku.
/Epoka e re/