Ministri Gashi: Në Deçan do të investojmë mbi 650 mijë euro gjatë këtij viti
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka qëndruar të enjten për vizitë në komunën e Deçanit.
Gjatë kësaj vizite ministri ka inspektuar punimet në sallën e sporteve.
Po ashtu gjatë kësaj vizite, mes MKRS-së dhe komunës së Deçanit u nënshkruan katër memorandume bashkëpunimi për financimin e projekteve:
“Stadiumi i qytetit – Deçan”, “Ndërtimi i Qendrës Rinore në Deçan”, “Ndërtimi i fushës sportive në Irzniq – Komuna e Deçanit” dhe “Ndërtimi i fushës sportive në Shaptej – Komuna e Deçanit”.
Për ndërtimin e stadiumit të qytetit MKRS-ja ndan 200 mijë euro, projekt i cili do të realizohet gjatë viteve 2019-2020.
Për ndërtimin e qendrës rinore ndan 150 mijë euro, për ndërtimin e fushës sportive Irzniq ndan 100 mijë euro, ndërsa për ndërtimin e fushës sportive Shaptej ndan 50 mijë euro, projekte të cilat do të zbatohen gjatë vitit 2019.
“Vizita ime ka të bëjë me nënshkrimin e disa marrëveshjeve të financimit për disa projekte sportive por edhe për të parë punimet në palestrën sportive, një objekt që ka zgjat për më shumë se 10 vite. Jemi të përkushtuar që këtë vit të përfundojnë të gjitha palestrat në Republikën e Kosovës”, u shpreh ministri Gashi.
Ministri po ashtu njoftoi se do të bëhen investime edhe në dy terrene sportive, një në fshatin Irzniq dhe një në fshatin Shaptej dhe e cilësoi si shumë të rëndësishme faktin se pjesë e këtyre marrëveshjeve është edhe finalizimi i projektit të palestrës.
“Falënderoj edhe deputeten e Kuvendit të Kosovës, Safete Hadërgjinaj, për kontributin e dhënë për ndarjen e këtyre mjeteve të cilat kapin shifrën e rreth 650 mijë eurove”, ka thënë ministri Gashi.
Ndërsa kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, u shpreh jashtëzakonisht i kënaqur për nënshkrimin e këtyre memorandumeve.
Ai ka falënderuar ministrin për vizitën e tij dhe për përkrahjen financiare që po u jep të rinjve dhe sportistëve të vendit.
/Epoka e re/