Ministri Gashi në samit: Epoka e re e sportit po ndodh
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në Samitin Rajonal për Integritetin në Sport, i cili po mbahet në Kosovë nën organizimin e Aleancës Globale të Integritetit për Sport (SIGA) dhe Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK). Kjo ngjarje organizohet për herë të parë në Prishtinë.
Ministri Gashi ka vlerësuar përkushtimin dhe punë e jashtëzakonshëm të Emanuel Macedo de Medeiros, drejtorit të SIGA-s, duke mundësuar që misioni dhe mesazhi i SIGA-s mbi Standardet Universale të Mirëqeverisjes të përcillet globalisht edhe nga Prishtina.
“E përgëzoi edhe Besim Hasanin, president i Komitetit Olimpik të Kosovës, që u bë ambasadori i vendit tonë, që me përkushtimin e tij ka bërë që ky Samit të na mbledh të gjithëve në Prishtinë dhe të flasim për integritetin në sport dhe sfidat konkrete të zbatimit në realitet. Komiteti Olimpik Kombëtar i Kosovës dhe Aleanca Globale për Integritet në Sport na bashkojnë më së miri sa i përket interesit për mirëqeverisjen në sport dhe vizionin drejt së ardhmes”, ka thënë ministri Gashi.
Ministri Gashi ka folur për punën dhe politikat që ndjek për fushën e sportit. “MKRS është e angazhuar dhe po zbaton një proces strategjik të qeverisjes së sportit në Kosovë dhe ky proces po ndeshet me sfidat e menaxhimit të ndryshimit por edhe po mbështetet nga një vullnet i madh i institucioneve dhe partnerëve qendrorë, lokalë e ndërkombëtarë dhe vepra të shumta me rëndësi strategjike për sportin janë konkretizuar dhe vijojnë të kryhen. Këto realizime së bashku me rezultatet e shkëlqyeshme të sportistëve tanë modelistë botërorë, olimpikë dhe me radhë, shënojnë themele të forta për vazhdimësinë afatgjate”, ka deklaruar Gashi.
Ministri ka përmendur se MKRS-ja angazhohet dhe është në shërbim të brezave të tashme dhe të ardhshme duke përgatitur dokumentet e duhura e moderne ligjore të cilat mundësojnë zhvillimin edhe integritetin në sport. “Një bazë ligjore të përditësuar kundër dhunës në sport, Ligji për Sponsorizime, rregulloret dhe udhëzimet ligjore të miratuara, që kanë të bëjnë me kategorizimin e sportistëve, mirëqeverisjen dhe infrastrukturën e më gjerë, janë pjesë e punës konkrete të realizuar, që të mundësojmë zhvillim dhe integritet në sport për të gjithë në Kosovë dhe në rajon e më gjerë”, ka shtuar ai. Ministri për fund theksoi se Kosova është në rrugën e duhur me shumë energji pozitive dhe fakti që sot në Kosovë po zhvillohet ky samit tregon se epoka e re e sportit po ndodh.