Ministri Gashi nënshkroi statutin e Muzeut të Kosovës
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Kulturës (MKRS), Kujtim Gashi, ka nënshkruar sot statutin për Muzeun e Kosovës.
Gashi ka thënë se nënshkrimi i statutit e lartëson këtë institucion, e njëherësh është zotuar se vitin e ardhshëm do ta ketë në agjendë përpilimin e Ligjit për Muze.
“Ky statut për herë të parë e mundëson digjitalizimin e fondit muzeor, ngritjen e kapaciteteve dhe shërbimeve muzeore, e ngritë muzeun në institucion të lartë shtetëror”, ka thënë Gashi.
Ndërsa ushtruesja e detyrës së drejtores së Muzeut të Kosovës, Vjolla Aliu, ka thënë se nënshkrimi i statutit është dhurata më e mirë që mund t’i bëhet një institucioni.
“Nënshkrimi i statutit të muzeut është akt ligjor që funksionalizon dhe avancon punën e Muzeut të Kosovës”, ka thënë Aliu.
Statuti i fundit i Muzeut ishte nënshkruar para 40 vitesh, ndërsa vitin e ardhshëm, Muzeu i Kosovës shënon 70-vjetorin e themelimit./KosovaPress/