Ministri Gashi nënshkruan rregulloret për kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve

07 dhjetor 2018 | 16:12

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar rregulloren për kategorizimin e sporteve dhe rregulloren për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve.

Këto dy dokumente normative përcaktojnë rregullat, kriteret dhe procedurat për kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve në Republikën e Kosovës. Konkretisht, rregullorja për kategorizimin e sporteve përcakton mënyrën e kategorizimit të sporteve, ndarjen e sporteve në grupe, kriteret për kategorizim të sporteve dhe procedurat e ankimimit.

Në bazë të kësaj rregulloreje sportet në Republikën e Kosovës ndahen në katër grupe, të ndara me shkronja “A” deri në “D”, dhe në këto grupe përfshihen federatat në bazë të grumbullimit të pikëve. Grupi “A”, ngërthen në vete federatat që kanë grumbulluar 70 pikë e më tepër, grupi “B”, 50 – 69,99, pikë, në “C” hyjnë federatat që arrijnë të grumbullojnë 30 – 49,99 pikë ndërkaq grupi i fundit “D”, i përfshin federatat të cilat kanë grumbulluar deri në 29,99 pikë.

Gjithashtu, rregullorja i përcakton kriteret për kategorizimin e federatave. Federatat kombëtare të cilat organizojnë brenda vitit gara ndërkombëtare do të kenë bonus 10 pikë dhe 5 pikë nëse organizojnë ndonjë kampionat evropian ose botëror, ndërsa do të kenë bonus një pikë nëse organizojnë ndonjë garë rajonale (Kampionat Ballkanik).  Federatat poentohen edhe në bazë të sukseseve në garat ndërkombëtare, nëse arrijnë të fitojnë medalje. Detajet janë të shpjeguara në rregullore.  Ministri Kujtim Gashi u shpreh se këto rregullore mundësojnë lehtësimin e menaxhimit të sportit në vend dhe shmangin paqartësitë eventuale për federatat e sportit.

“Procesi i kategorizimit të sporteve dhe sportistëve, i rregulluar përmes këtyre rregulloreve, kanë për qëllim të nxisin menaxhmentet e federatave kombëtare të angazhohen dhe të fokusohen edhe më shumë që përmes veprimeve të duhura adekuate të rrisin cilësinë dhe prezantimin sa më të suksesshëm të sportistëve dhe masivizimin e sportit”, ka thënë Gashi.

Ndërsa rregullorja për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve e përcakton se këto kategori duhet të jenë pjesëtarë të federatave kombëtare të njohura nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe të licencuara në MKRS. Si kriter kryesor për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve janë medaljet e fituara në Lojëra Olimpike dhe Paraolimpike, kampionate botërore, evropiane, mesdhetare e ballkanike. Rregullorja përcakton edhe kriteret për kategorizimin e sportistëve të rinj si dhe thirrjet e sportistëve dhe trajnerëve.

RREGULLORE (MKRS) Nr. 04/2018 PER KATEGORIZIMIN E SPORTEVE 

RREGULLORJA (MKRS) Nr. 05/2018 PER KATEGORIZIMIN E SPORTISTEVE DHE TRAJNEREVE   

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Investimet qindra milionëshe ishin temat e diskutimit gjatë takimeve që…