Ministri Gashi: Objekti i Agjencisë së Arkivave do të rinovohet tërësisht

26 qershor 2018 | 17:32

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar të martën Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK).

Gjatë kësaj vizite ministri zhvilloi takim me kryeshefin ekzekutiv të ASHAK-së, Ramë Manaj, i cili ka njoftuar ministrin me gjendjen, kushtet dhe rrethanat e punës në këtë institucion. “Kjo vizitë bëhet në kuadër të vizitave që jam duke i bërë edhe institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por edhe Komunave të Kosovës, për të parë nga afër gjendjen në të cilën zhvillojnë aktivitetet këto institucione”, ka thënë Gashi.

Ai ka premtuar mbështetje për Agjencinë e Arkivave të Kosovës për realizimin e një projekti i cili parasheh renovim në tërësi të objektit. “Ne kemi përfunduar një intervenim të vogël kemi vendosur raftet e reja. Këtu zotohemi që Ministria e Kulturës dhe unë si ministër do të jemi në mbështetjeje të drejtorit, menaxhmentit, stafit por edhe për të filluar një investim të ri në këtë objekt, një investim të gjithanshëm duke përfshirë depot, objektin, sistemin kundër zjarrit pastaj aklimatizimin, aparatet për kontrollimin e lagështisë si dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknike për këtë institucion të rëndësisë së veçantë për vendin tonë. Është një projekt që e kemi tashmë të gatshëm”, ka thënë ministri Gashi.

Duke folur për rëndësinë e madhe që kanë arkivat në Kosovë, ai ka theksuar se pasi që lënda arkivore ka rëndësi historike, kulturore, shkencore dhe ka cilësinë e monumentit të kulturës, ajo duhet të ruhet në mënyrë të përhershme.  “Andaj në përputhje me rëndësinë e madhe që kanë lënda arkivore, ky investim në këtë objekt është një prej prioriteteve të Ministrisë andaj edhe procedurat për investim në këtë objekt do të hapen brenda disa ditëve”, ka thënë Gashi, duke shtuar se janë të interesuar të shohin nga afër gjendjen e objekteve të arkivave ndërkombëtare në gjashtë komunat e Kosovës, në mënyrë që edhe atje të intervenojmë në të ardhmen.

Po ashtu ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se bashkë me drejtorin u pajtuam që të iniciojmë ndryshim-plotësimin për Ligjin për Arkivat.

/Epoka e re/ 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe mediumi prestigjioz, “BBC”, ka raportuar për iniciativën e shqiptarëve…