Ministri Gashi priti në takim ambasadoren e Holandës
Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka pritur të enjten në takim ambasadoren e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems.
Gjatë këtij takimi ministri Gashi ka falënderuar ambasadoren Willems për përkrahjen e dhënë për Republikën e Kosovës, në veçanti Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Në këtë takim theks i veçantë iu vu angazhimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve të sigurisë, në plotësimin e kritereve që kërkohen për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Gashi ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe me këtë rast ka kërkuar nga ambasadorja Willems, që Holanda të ndihmojë në përshpejtimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Willems ka shprehur gatishmërinë e saj për vazhdimin e bashkëpunimit mes të dy shteteve, duke theksuar se shteti i saj do të përkrahë Republikën e Kosovës në anëtarësimin e organizatave ndërkombëtare.
/Epoka e re/