Ministri Gashi priti në takim përfituesin e bursës për studime në akademinë FAMU
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur të martën në takim fituesin e radhës së bursës për studime në një ndër shkollat më të mira në botë për studime në fushën e kinematografisë, akademinë e famshme FAMU në Pragë, Enis Saraçi.
Pas memorandumit të lidhur mes QKK-së, MKRS-së dhe FAMU-së para pesë viteve, Enis Saraçi është studenti i katërt që përfiton nga kjo bursë e ndarë nga MKRS dhe QKK.
Ministri Gashi u shpreh i kënaqur që studentët nga Republika e Kosovës kanë mundësi që përmes marrëveshjes së bashkëpunimit të arritur ndërmjet MKRS-së, QKK-së dhe Universitetit FAMU në Pragë të Çekisë, të përfitojnë bursa për ngritje profesionale në fushën e kinematografisë.
Në anën tjetër, Enis Saraçi, përfitues i kësaj burse, u shpreh shumë i kënaqur dhe falënderues për mundësinë e dhënë për të studiuar në akademinë FAMU në Pragë.
/Epoka e re/