
Ministri Gashi reagon për dëmtimin e artefaktit (Pitosit)
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporti, Kujtim Gashi, ka shprehur shqetësim për dëmtimin aksidental të një artefakti (Pitosi) në ambientet e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Në njoftimin e bërë nga MKRS-ja, thuhet se Gashi ka kërkuar me urgjencë raport të detajuar nga i gjithë zinxhiri i hierarkisë në lidhje me këtë ngjarje të shëmtuar, pra dëmtimit nga pakujdesia e rëndë dhe e papranueshme e Pitosit, i cili ka qenë i ekspozuar në ambientet e IKMM-së.
Sipas Ligjit Nr. 02/L – 088 për Trashëgimi Kulturore, dëmtimi dhe shkatërrimi i objekteve të luajtshme të trashëgimisë kulturore paraqet vepër të dënueshme dhe përbën bazë për përgjegjësi në përputhje me legjislacionin penal dhe kundërvajtës.
“MKRS-ja siguron opinionin publik dhe të gjithë mekanizmat institucionalë se në çdo rast të tillë ajo nuk do ta tejkalojë pa llogaridhënie, duke vepruar me vendosmëri drejt zbatimit të kuadrit ligjor, i cili e obligon atë në korniza të mandatit për të ruajtur dhe mbrojtur me rigorozitet vlerat e objekteve dhe aseteve të trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore”, thuhet në njoftimin e MKRS.
Të premten në ambientet e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, disa punëtorëve u kishte rrëshqitur pitosi nga duart, teksa e bartnin nga lart me litar.
Artefakti i thyer i takon periudhës së Antikës e deri edhe Mesjetës dhe nga ky në Kosovë janë pak sosh.