Ministri Gashi: Rinia pasuria më e madhe e Kosovës
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, të premten në kabinetin e tij në një ceremoni solemne ka bërë shpërndarjen e kontratave për organizatat joqeveritare që veprojnë si ofruese të trajnimeve me projektet e tyre që kontribuojnë në rritjen e punësimit përmes ofrimit të shërbimeve cilësore për punësimin e të rinjve të moshës 18-24 vjeç.
Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit këtë program e ka mbështetur financiarisht me 200 mijë euro.
Gjatë kësaj ceremonie, ministri Gashi ka thënë se këto projekte do t’i ndihmojnë të rinjtë në fushën e punësimit përmes panaireve që do të organizohen, po ashtu, përmes promovimit dhe ndërgjegjësimit të rinisë për orientim në karrierë dhe treg adekuat të punës. “Gjithashtu programet dhe projektet që kanë për qëllim nxitjen e punësimit të të rinjve si dhe trajnimeve afatshkurta profesionale për të rijnë”, ka thënë ministri Gashi.
Ai ka shtuar se si ministër por edhe si MKRS janë të përkushtuar që rinisë së vendit tonë t’ju ofrojmë sa më shumë përkrahje në mënyrë që t’i arrijnë qëllimet e tyre përmes programeve të cilat i ofron ky projekt. “Ne kemi një orientim të ri sa i përket rinisë, vetëm për një qëllim, që t’u dalim në ndihmë dhe përkrahje dhe t’i ndihmojmë në çështjen e punësimit sepse rinia është pasuria më e madhe e Kosovës”, ka thënë ministri Gashi.