Ministri Gashi: Tribunali për krimet serbe në Kosovë është i domosdoshëm
Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi në nderim të 27 martirëve të Lagjes së Trimave (Tusus), ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh pranë Lapidarit të martireve dhe varrezave të martirëve në këtë lagje.
Në pafuqi të përballjes me ushtarët e UÇK-së forcat serbe në këtë lagje treguan barbarinë e tyre duke i vrarë 27 civilë të pafajshëm dhe i dogjën 245 shtëpi.
Lagja e Trimave (Tususi) ishte çerdhe e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Prizrenin. Kjo lagje gjatë luftës u shndërrua në bazën e ushtarëve të Lirisë.
Heronjtë Xhevat Berisha, Salajdin Berisha e shumë të tjerë së bashku me Xhemshit Krasniqin i cili padrejtësisht po mbahet në burg, u vunë në ballë të luftës për Lirinë e Kosovës.
Në pafuqi të përballjes me ushtarët e Lirisë ushtarë, policinë e paramilitarë serbë vranë civilët.
Ministri Gashi u shpreh me këtë rast se masakra në Lagjen e Trimave është edhe një dëshmi dhe arsye se tribunali për krimet serbe në Kosovë është i domosdoshëm.
“Deri më sot asnjë nga kriminelët që e shkaktuan këtë masakër nuk janë përgjigjur për krimin kundër civilëve të pafajshëm. Asnjë krim i kriminelëve serb nuk do të kalojë pa u ndëshkuar, prandaj Kosova e ka detyrë dhe obligim themelimin e këtij tribunali. Kosova duhet ta themelojë tribunalin për krimet serbe që dhe autorët e kësaj masakre ta marrin dënimin e merituar”, ka thënë ministri Gashi.
/Epoka e re/