Ministri Gashi: Vepra e 21 dëshmorëve të kombit, frymëzim dhe krenari
Në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajl Berisha” në Prizren, nën patronatin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, të hënën është mbajtur akademi përkujtimore për nder të 20-vjetorit të Betejës së Jeshkovës dhe rënies së 21 dëshmorëve të kombit.
Me këtë rast, ministri Gashi, në fjalën e tij ka përmendur luftën heroike të UÇK-së me në krye komandantin legjendar Adem Jashari, dhe konkretisht ka folur për Betejën e Jeshkovës.
Për Betejën e Jeshkovës dhe rënien heroike të 21 dëshmorëve të kombit, ministri Gashi ka thënë se ishte dhe do të ngelë një ndër epopetë më madhështore të historisë së lavdishme të kombit tonë. “Prandaj edhe sot në këtë 20-vjetor të krenarisë së përmotshme të Betejës së Jeshkovës, të rënies së 21 dëshmorëve dhe martirëve, me plot krenari themi se djemtë dhe vajzat edhe të Brigadës 125 të UÇK-së, pra 21 dëshmorët e rënë në atë betejë, ishin luftëtarë të dritës së lirisë”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se vepra e 21 dëshmorëve të rënë në këtë betejë, të cilët e përjetësuan betimin e të parëve do të jetë frymëzim dhe krenari. “Edhe Beteja e Jeshkovës, rënia e dëshmorëve të kombit, 20 vjet pas, e forcojnë ndjenjën, shpirtin e atdhetarisë shqiptare, për rolin kombëtar, historik të luftës së UÇK-së, sepse edhe para zhvillimeve ndërkombëtare të asaj kohe, veçmas para tryezave diplomatike, lindja dhe lufta e UÇK-së ishte dhe do të ngel shkëlqimi më i ndritur mbarë kombëtar i fundshekullit të XX”, u shpreh ministri Gashi.
Gjithashtu përveç tjerash ministri Gashi ka folur edhe për rrugëtimin e Kosovës drejt Evropës. “Kosova dhe populli i saj në bashkëpunim edhe me aleatët tanë të prirë nga ShBA-të, jemi edhe më të guximshëm, më të bashkuar, edhe me besimplotë në rrugëtimin tonë mbarëkombëtar drejt familjes evropiane. Pra jemi gjithnjë e më pranë vlerave të demokracive dhe të qytetërimeve perëndimore. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura që me zgjuarsi, unitet nacional dhe vendosmëri t’u përgjigjen sfidave të kohës, me objektivin që shteti i Kosovës të bëjë progres të vazhdueshëm drejt konsolidimit dhe përparimit të gjithanshëm”, ka thënë ministri Gashi.
Ndërkaq Isa Berisha, përfaqësues i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, ka pohuar se në këtë betejë kanë qenë shumë dëshmorë dhe kjo ishte një goditje e rëndë për UÇK-në. “Morali dhe qëllimi ishte shpëtimi nga okupatori serb. Edhe pse në atë kohë në Kosovë ishte misioni vëzhgues i OSBE-së, bishat serbë nuk kursyen asgjë. Ndonëse kemi dhimbje të madhe, familjet e dëshmorëve duhet të ndihen krenarë për sakrificën e më të dashurve të tyre të cilët dhanë jetën që ne sot ta gëzojmë lirinë”, ka thënë ai.
/Epoka e re/