Ministri Gashi: Viti 2019 do të jetë vit i stabilitetit të teatrove të qyteteve
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka takuar të enjten grupin punues për hartimin e Ligjit për teatrot, me të cilët ka diskutuar për rrjedhën e procesit, përmbajtjen që do të ketë ligji dhe si do të ndikojë ai në përmirësimin e funksionimit të teatrove nëpër qytetet e Kosovës dhe në avancimin e jetës kulturore në përgjithësi.
Ministri Gashi ka ofruar mbështetje të plotë për grupin punues në hartimin e ligjit.
Ministri u shpreh se pret nga grupi një punë intensive për përgatitjen e një ligji i cili do të funksionalizojë teatrot e qyteteve. “Komunave t’i mundësohet ndarja e mjeteve të nevojshme për teatrot e tyre si dhe të angazhohen aktorët e qyteteve në këto teatro”, ka thënë Gashi.
Ai ka thënë se me këtë ligj fuqizohen teatrot nëpër qytetet e Republikës së Kosovës si dhe do të ketë një angazhim më të madh të aktorëve të qyteteve përkatëse nëpër këto institucione të kulturës.
Ministri ka konsideruar se viti 2019 do të jetë viti i kthesës së madhe për teatro, institucione të cilat nuk kanë pasur trajtim dhe mbështetje me dinjitet nga komunat e Kosovës.
Ndërkaq, grupi punues u shprehën se do të hartojnë një ligj i cili do të jetë një politikë e zbatueshme dhe që do të ndikojë në rritjen e aktiviteteve kulturore dhe ngritjen e vlerave të mirëfillta.
/Epoka e re/