Ministri Gashi vlerëson policinë për nivelin e lartë të profesionalizmit
Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka përgëzuar zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët me punë dhe përkushtim po garantojnë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Më 8 dhe 9 shtator 2018, me lejen e institucioneve të Republikës së Kosovës, një delegacion nga Republika e Serbisë i udhëhequr nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka qenë në vizitë dy ditore në Republikën e Kosovës. Në këtë rast Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet në përputhje të plotë me kushtetutën dhe ligjet në fuqi, për të ofruar një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e shtetit të Kosovës. Në këtë mënyrë, Policia e Kosovës sërish ka konfirmuar përkushtimin në punë si dhe nivelin e lartë të profesionalizmit, që e bën këtë institucion të dallohet në rajon dhe më gjerë”, është thënë në deklaratën e ministrit Gashi.
Ministri Gashi ka vlerësuar artë profesionalizmin e treguar nga të gjithë zyrtarët policor dhe veçanërisht nga udhëheqësit e Policisë së Kosovës në krye me drejtorin e përgjithshëm të emëruar së fundi, Rashit Qalaj.
Ministri Gashi ka theksuar se Policia e Kosovës punon pa dallime etnike e politike, duke dëshmuar kështu profesionalizmin dhe përkushtimin në punë.
“Misioni i Policisë së Kosovës është garantimi i zbatimit të ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase. Në përmbushjen e këtij misioni, Policia e Kosovës do ta ketë përkrahjen time të plotë, si Ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka thënë ministri Gashi.
/Epoka e re/