Ministri Gashi vlerëson punën e policisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, i shoqëruar edhe nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Naim Rexha, kanë vizituar të enjten Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Ferizaj, ku u priten nga drejtori Gazmend Hoxha.
Me këtë rast, ministri Gashi ka vlerësuar lart angazhimin dhe punën që po bëjnë Policia e Kosovës, në ofrimin e sigurisë për qytetarët e vendit.
“Policia e Kosovës duhet të vazhdojë punën e saj pa qenë e ndikuar, e cila sipas mandatit të saj ligjor, është e obliguar të ofrojë rend dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim. Ky profesionalizëm i juaji është vlerësuar edhe nga qytetarët dhe nga organizatat që e monitorojnë punën e policisë”, ka thënë ministri Gashi.
Në veçanti, ministri Gashi ka falënderuar drejtorin e Drejtorisë Rajonale të PK-së në Ferizaj në angazhimin e pakursyer që kanë bërë në gjetjen e trupave të të dy policëve të aksidentuar ditë më parë.
Ndërsa, drejtori Hoxha, e ka njoftuar ministrin Gashi me situatën e përgjithshme të sigurisë në këtë rajon, duke vlerësuar se situata është e qetë dhe ka një trend të rënieve të veprave kriminale.
Në këtë takim, Hoxha e ka falënderuar ministrin Gashi për përkrahjen e dhënë në avancimin e mëtejmë të Policisë në rajonin e Ferizajt.
/Epoka e re/