Ministri gjerman, Cakajt: Negociatat me Shqipërinë duhet të hapen për arsye strategjike
Gjermania gjykon se negociatat me Shqipërinë duhet të hapen për arsye strategjike. Kjo i është bërë e me dije të enjten ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj në takimin që ka zhvilluar në Berlin me homologun gjerman, Heiko Maas.
Ministria e drejtuar nga Cakaj ka njoftuar se Heiko Maasi, e ka vlerësuar rolin e Shqipërisë në kryesimin e OSBE-së, të cilën e ka cilësuar jo thjesht një sfidë, por një mundësi të madhe që ka vendi për të performuar në skenën ndërkombëtare.
Ministri i Jashtëm gjerman e ka siguruar Cakajn për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë jo vetëm në aspektin bilateral, por edhe në ambiciet e saj për lidership multilateral. Në këtë kuadër ata kanë rënë dakord që agjenda të vijojë me intensitet të plotë.
Ndërsa Gent Cakaj, ka informuar homologun gjerman mbi ecurinë e reformave në kuadër të procesit të integrimit të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, si dhe përmbushjen plotësisht të tre kushteve të vendosura nga Këshilli Evropian në qershorin e vitit 2018.
Kryediplomati shqiptar e ka vlerësuar si historike dhe të pa ndërmarrë nga ndonjë vend tjetër në rajon, zbatimin e reformës në drejtësi që sipas tij, ndodhet në fazën e fundit të saj.
“Vitin e kaluar Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së mori vendim për hapjen e negociatave në 2019 dhe ne ishim të bindur se kjo nuk do të ishte një hapje automatike por e bazuar në një punë intensive për plotësimin e procesit të vetingut, krijimin e organeve të reja gjyqësore dhe dhënien e rezultateve të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Raporti i Komisionit Evropian ka certifikuar angazhimin e qeverisë shqiptare në plotësimin e këtyre kritereve nga pikëpamja teknike”, ka thënë Cakaj. /Top Channel/