Ministri gjerman në Tiranë: Politika të mos pengojë integrimin
I ashpër ndaj politikanëve shqiptarë është shprehur ministri i Jashtëm gjerman, duke kërkuar nga ta që të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të mos pengojnë integrimin e vendit.
“I bindur që Shqipëria do të vijojë rrugën e reformave. Të krijohet një sistem ligjor solid e drejtësi e pavarur”, u shpreh Michael Roth.
Ministri gjerman u ndal më specifikisht tek Vettingu në Shqipëri, për të cilin vlerësoi se është një proces që asnjë vend tjetër i rajonit se ka kaluar. Për ministri Roth e rëndësishme është edhe ndërgjegjësimi i aktorëve politikë në Shqipëri për këtë proces.
“Me vettingun Shqipëria po bën një rrugë, që nuk ka të dytë në rajon. Vettingu është një proces i vështirë, duhet të ketë një ndërgjegjësim të madh nga opozita dhe qeveria”, ka thënë Roth, i cili u tregua jo pak kritik kur theksoi se politikanët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre, e të mos pengojnë integrimin.
“Unë do t’ju apeloja që të marrin përgjegjësitë e tyre në mënyrë që të mos e rrezikojnë procesin e Shqipërisë”, ka thënë Roth, duke shprehur bindjen se Shqipëria do të vijojë rrugën e reformave.
Ndërkohë për çështjen e refugjatëve Roth u shpreh se Shqipërisë nuk i është vendosur asnjë kusht pasi ata janë të interesuar që të gjitha palët të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.
Ministri i jashtëm, Ditmir Bushati në konferencën e përbashkët me homologun gjerman Michael Roth, deklaroi se Shqipëria po vijnë të hedhë hapa të sigurt drejt integrimit të BE. “Sa më tepër hapa që hedhim drejt BE, aq më i sigurt bëhet procesi. Në planin e brendshëm duhet të avancojmë me reformat”, ka thënë Bushati.