Ministri gjerman porosit Kosovën që ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka porositur që çështja e demarkacionit me Malin e Zi të kalohet, si kriter që është vënë nga BE-ja për liberalizimin e vizave.
Në konferencën e përbashkët për medie me kryeministrin Haradinaj, ai ka uruar qytetarët e Kosovës për dhjetëvjetorin e pavarësisë.
Ai ka thënë se Gjermania bën pjesë në vendet e para që e kanë njohur Kosovën dhe është krenare me të arriturat e deritanishme.
Gabriel ka shtuar se Gjermania dëshiron që edhe në të ardhmen të mbetet një partner i qëndrueshëm në Kosovë.
“Shpresojmë që Kosova ta arrijë një stabilitet ekonomik dhe politik, sepse qytetarët e kanë merituar këtë”, ka thënë Gabriel.
Gabriel ka thënë se Gjermania do të angazhohet që Kosova edhe më tej të përgatitet për, siç ka thënë ai, çështje jo të këndshme. “Një nga to janë edhe Dhomat e Specializuara, të cilat do të trajtojnë krimet e mundshme të luftës”, ka theksuar ai.
“Unë jam i lumtur që kam dëgjuar që ka vullnet për t’u zgjidhur edhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi. E mbështesim këtë, sepse është në të mirë të qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që ky kriter të plotësohet dhe të ketë liberalizim vizash”, është shprehur ministri i jashtëm gjerman.