Ministri Hamza: Bujqësia është njëri nga sektorët me prioritet të Qeverisë
“Bujqësia është njëri nga sektorët me prioritet të lart për institucionet tona, dhe kjo është dëshmuar si nga konteksti strategjik, pasi ky sektor është përfshirë në të gjitha dokumentet strategjike të vendit”, ka thënë ministri i Financave, Bedri Hamza, në ceremoninë e lansimit të dritares “Agro” të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive.
Hamza e ka vlerësuar lartë lansimin e këtij produkti për faktin se siç ka thënë ai është shumë me rëndësi për tregun në Kosovë.
“Duke ditur rëndësinë e këtij sektori për një numër të madh të ekonomive familjare, lansimi i dritares ‘Agro’ do t’i shtojë mundësitë për këtë sektor, duke bërë që qasja në financim për projektet e tyre të lehtësohet dukshëm. Përkundër faktit se shumica e bankave janë duke kredituar këtë sektor përgjatë viteve, ku kreditë e destinuara për ‘Agro’ vazhdojnë të mbeten të ulëta. Besoj se një nga arsyet kryesore për këtë kreditim relativisht të ulët, ka qenë perceptimi i rrezikut më të lart për këtë sektor, dhe normat e interesit që kanë reflektuar këtë rrezik”, ka thënë ministri Hamza.
Ai ka theksuar se lansimi i këtij produkti, në masë të konsiderueshme do të ulë rrezikun ndaj të cilit janë të ekspozuara bankat dhe institucionet jobankare. “Rrjedhimisht, kreditimi për këtë sektor do të shtohet ndjeshëm”, ka thënë Hamza.