Ministri Hamza i ofron përkrahje ATK-së për realizimin e objektivave
Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka pritur të premten në takim ministrin e Financave, Bedri Hamza, me të cilin ka folur rreth aktiviteteve të cilat pritet të zhvillohen në këtë institucion.
Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, fillimisht ka njoftuar ministrin Hamza për prioritet e Administratës Tatimore për këtë vit, si dhe aktivitet e tjera të cilat tani janë të vendosura edhe në planin e punës për vitin 2019.
Ndër të tjera, gjatë takimit me ministrin, drejtori Murtezaj ka thënë se këtë vit do të punojnë shumë në automatizimin e shërbimeve për tatimpaguesit në rimbursimin e TVSH-së, kontrolleve dhe mbledhjes së detyrueshme, me qëllimin e vetëm të krijimit të lehtësirave për përmbushjen e deklarimeve tatimore, si dhe rritjes së transparencës ndaj tatimpaguesve.
Ndërkaq ministri i Financave, Bedri Hamza, ka përgëzuar drejtorin për pozitën e re, duke potencuar se mbështetja e tij do të jetë e fuqishme, në të gjitha kërkesat që lidhen me arritjen e objektivave të ATK-së.
Po ashtu, ministri Hamza ka vlerësuar lartë rolin e ATK-së, duke theksuar se suksesi i ATK-së është sukses i shtetit të Kosovës.
Gjatë këtij takimi u tha se ATK-ja do të punojë me përkushtim të plotë dhe profesionalizëm që të arrijë suksesshëm mbledhjen e të hyrave të pritshme qeveritare, në mënyrë që të sigurohet stabilitet financiar për vendin.
Sipas përfaqësueseve të ATK-së, fokusi i tyre mbetet rritja e nivelit të përmbushjes vullnetare të tatimpaguesve sipas Legjislacionit Tatimor të Kosovës.
/Epoka e re/