Ministri Hamza: KQZ-ja nuk ka para për zgjedhje
Ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë të premten se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka fonde për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Ai në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se do të ishte mirë të ketë takime në mes të anëtarëve të koalicionit qeveritar dhe pastaj të thirret një mbledhje tjetër e Qeverisë.
“Kur jemi të çështja e mundësisë se shkuarjes se vendit në zgjedhje, ne si Ministri e Financave kemi qenë të kujdesshëm në këtë drejtim dhe është një fond brenda ministrisë, ku ligji e autorizon ministrin që këto mjete në rast nevoje mund t’i bartë në një organizatë tjetër buxhetore. Kishte me qenë i dobishëm një takim mes planerëve të koalicionit të diskutohet kjo çështje, por pavarësisht bisedave edhe marrëveshjeve politike, gjithçka duhet të vendoste brenda kuadrit ligjor”, ka thënë Hamza.
Hamza ka thënë se për ndodhur bartja e fondeve, fillimisht duhet të shpallën zgjedhjet dhe pastaj KQZ-ja të bëjë kërkesë specifike për ndarjen e mjeteve për organizimin e zgjedhjeve.
“Për të ndodhur ky transfer fillimisht duhet të ndodh shpallja e zgjedhjeve. Së dyti KQZ-ja duhet të bëjë një kërkesë të specifikuar për nevojat të cilat janë, për ta arsyetuar kërkesën e tyre. Mbi bazën e kërkesës se arsyetuar, atëherë i hapet mundësia Ministrisë së Financave të bëjë transferin. Por, në këtë rast, edhe ministri i Financave kërkon qartësi juridike mbi statusin e tij”, është shprehur Hamza.
/Epoka e re/