Ministri Hamza merr mbështetje nga bordi i drejtorëve të BERZh-it
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka pritur në takim delegacionin e Bordit të drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), të udhëhequr nga drejtori i Konstituencës së Holandës, Kinës, Mongolisë, Maqedonisë dhe Armenisë, Frans Weekers, dhe drejtori i Bordit për Irlandën, Danimarkën, Lituaninë dhe Kosovën, Patrick Walsh.
Anëtarët e Bordit të drejtorëve të BERZh-it të cilët kanë marrë pjesë në këtë takim kanë përfaqësuar 32 vende të botës.
Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe BERZh-it, me theks të veçantë në thellimin e këtij bashkëpunimi për sektorin publik dhe privat.
Me këtë rast, ministri Bedri Hamza, ka falënderuar Bordin e drejtorëve të BERZh-it për zhvillimin e një vizite të tillë, e cila sipas tij ka mundësuar diskutimin strategjik për bashkëpunimin e Kosovës me këtë bankë.
“BERZh-i mbetet partner strategjik i Kosovës, drejt adresimit të nevojave për investime në sektorin publik dhe fuqizim të mëtutjeshëm të sektorit privat si bartës i zhvillimit ekonomik”, ka thënë Hamza.
Ndërsa, drejtorët e Bordit të BERZh-it, kanë konfirmuar gatishmërinë e këtij institucioni ndërkombëtar të vazhdojë përkrahjen e ekonomisë së Kosovës dhe punës së Qeverisë ndaj reformave për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Delegacioni i Bordit të drejtorëve të BERZh-it është duke qëndruar në Kosovë për vizitë dyditore, si pjesë e vizitave të rregullta, të cilat ky bord i realizon çdo pesë vite në shtete ku operon kjo bankë.
/Epoka e re/