Ministri Hamza merr mbështetjen amerikane për zhvillimin e Kosovës
Ministri i Financave, Bedri Hamza, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) është pritur në takim pune nga i ngarkuari për çështje të financave ndërkombëtare dhe zhvillim, njëherësh zyrtar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Roland De Marcellus, të cilin e ka informuar për progresin e Kosovës në fushën e financave, qëndrueshmërinë makro fiskale dhe menaxhimin e borxhit publikë.
Po ashtu, Hamza e ka njoftuar zyrtarin amerikan edhe me zhvillimet pozitive rreth buxhetit të shtetit për vitin 2018 si dhe për sfidat me të cilat po përballet Kosova.
Më tutje, ministri Hamza ka falënderuar Qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe agjencitë e saja, në veçanti të gjithë taksapaguesit amerikanë për ndihmën e dhënë për zhvillimin e Kosovës.
Ndërsa, i ngarkuari për çështje të Financave ndërkombëtare dhe zhvillim, Roland De Marcellus, ka përgëzuar ministrin Hamza për vendosjen e disiplinës financiare dhe për progresin e arritur në të gjitha fushat duke përfshirë edhe financat e Republikës së Kosovës.
“Vëmendja dhe ndihma financiare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Kosovën gjithmonë ka qenë dhe do të jetë edhe në të ardhmen në dispozicioni për zhvillimin e Kosovës. Edhe sa i përket Ministrisë së Financave për asnjë moment ndihma jonë nuk do të mungojë”, ka thënë Marcellus.
Me rastin vizitës në Departamentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ministri Hamza është nënshkruar edhe në librin e zisë për ish zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Laura Bush e cila javën e kaluar ndërroi jetë.