Ministri Hasani fton bizneset e huaja të investojnë në Kosovë
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka marrë pjesë të mërkurën në hapjen e “Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar – Prishtina 2018”, me bashkëpunëtorët e tij.
Ministri Hasani ka thënë se ky panair është një mundësi e mirë për promovimin e ambientit ekonomik të Kosovës dhe krijon ura bashkëpunimi në mes kompanive vendore dhe atyre ndërkombëtare.
“Ndjehem i nderuar që jam këtu sot në mesin e shumë kompanive vendore dhe ndërkombëtare që po marrin pjesë në këtë panair. Panairi ‘Prishtina 2018’ është një mundësi e mirë për promovimin e ambientit ekonomik të Kosovës dhe besoj se do të shërbejë për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit në mes kompanive vendore dhe atyre të huaja, përmes bizneseve dhe konsumatorëve. Gjatë kohës sa do të mbahet panairi kompanitë kanë mundësi të tregojnë arritjet e tyre. U bëjë thirrje kompanive që ta shfrytëzojnë mundësinë që u jep ky panair. Ne jemi të vetëdijshëm se zhvillimi ekonomik i Kosovës mund të arrihet vetëm përmes partneritetit dhe bashkëpunimit mes sektorit privat, institucioneve tona dhe investitorëve të jashtëm. Pra, sot ekonomia e Kosovës është në një nivel tjetër të zhvillimit me atë që ka qenë para disa vitesh”, ka thënë Hasani.
Ministri Hasani ka theksuar se në MTI kanë nisur reformat për ta krijuar një ambient edhe më të mirë për të bërë biznes.
/Epoka e re/