Ministri Hasani kalon edhe dy vendime në Qeveri në favor të prodhuesve vendorë
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të martën është aprovuar vendimi për zbatimin e vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për masa të përkohshme mbrojtëse në importin e pemëve dhe perimeve vendore dhe për importin e qumështit me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina.
Vendimet do të fillojnë së aplikuari nga dita e miratimit të tyre nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se prodhuesit e qumështit dhe kultivuesit e pemëve dhe perimeve më nuk do të shqetësohen nga konkurrenca e padrejtë që u bëhet nga importi.
“Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u dha drita jeshile që dy vendimet e mia si ministër i Tregtisë dhe Industrisë për masat mbrojtëse për qumështin që importohet nga Bosnja dhe Hercegovina dhe për pemët dhe perimet që hyjnë në Kosovë, nga nesër të zbatohen nga Dogana e Kosovës. Si ministër i Tregtisë i siguroj të gjithë prodhuesit vendor se do t’i mbrojmë në çdo rast që ligji na jep të drejtë. Të dashur qytetarë ndihmojeni edhe ju Kosovën, ndihmoni prodhuesit vendor. Sepse duke u dhënë përparësi prodhimeve tona ne ndihmojmë zhvillimin e ekonomisë së Kosovës”, ka shkruar ministri Bajrami.
/Epoka e re/