
Ministri Hasani në Ankara, falënderon homologun turk për mbështetjen ndaj Kosovës
Ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani, e ka përshkruar të enjten Turqinë si një nga partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë, duke vënë në dukje bashkëpunimin e fortë në energji dhe pozicionin strategjik të Shqipërisë si një qendër transporti.
Në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan në Ankara, Hasani e ka falënderuar Turqinë për mbështetjen e dhënë Kosovës.
“Dua të theksoj mbështetjen e Turqisë për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur”, ka thënë Hasani mes tjerash, raporton media në gjuhën turke “Anews”.
Ndër të tjera, ministri Hasani ka vënë në dukje se Shqipëria dhe Turqia nënshkruan një marrëveshje partneriteti strategjik vitin e kaluar, duke forcuar lidhjet në shumë sektorë.
Bashkëpunimi ekonomik ishte fokusi kryesor i bisedimeve të sotme, ka thënë ai, duke shtuar se ndërkohë që qindra kompani turke operojnë në Shqipëri, potenciali i plotë i partneritetit të tyre ekonomik mbetet i pashfrytëzuar.
Qëllimi, ka thënë ai, është rritja e tregtisë dypalëshe përtej 2 miliardë dollarëve.
Ndërsa Shqipëria bëhet një destinacion turistik në rritje, Hasani ka thënë se interesi nga vizitorët turq po rritet.
Ai ka falënderuar gjithashtu presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, duke e cilësuar atë “një pikë referimi të rëndësishme kulturore dhe fetare për komunitetin tonë mysliman”.
Hasani ka thënë se të dy vendet kanë rikonfirmuar angazhimin e tyre për të punuar së bashku në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ministri i Jashtëm shqiptar, ka deklaruar gjithashtu se Shqipëria mbështet një armëpushim në Gaza dhe vlerësoi rolin e Turqisë si një lojtar kryesor diplomatik në përpjekjet për paqe.
Hasani ka përfunduar fjalën e tij duke thënë se roli dhe prania e Turqisë kanë qenë thelbësore në formësimin e Ballkanit gjatë 30 viteve të fundit.