Ministri Hasani paralajmëron Shqipërinë: Do t’u përgjigjemi me kundërmasa
Shteti shqiptar po i lë pezull kërkesat e Kosovës përfshirë këtu edhe Ministrinë për Industri e Tregti.
Kreu i kësaj ministrie, Bajram Hasani në “Rubikon” të “KTV”-së bëri të ditur se tashmë i ka dërguar disa letra drejt ministrit shqiptar, Arben Ahmetaj mirëpo nuk ka marrë përgjigje.
Ai paralajmëron se nëse një praktikë e tillë vazhdon, Kosova do të marrë masa kundër tyre.
“Mund të marrim masa qysh nesër, kemi bazë mirëpo ka qenë qëllimi i mirë që të hapet tregu me Shqipërinë… unë i kam dërguar disa letra ministrit Ahmetaj dhe nëse ata nuk reflektojnë, në kuptimin që nuk na përfillin ne duhet të vazhdojmë, do t’i përgjigjemi me kundërmasa. Po presim pasi i kemi adresu disa shkresa. E kemi lajmëru edhe ambasadorin këtu që e kemi, nuk kemi marrë fare përgjigje”, ka thënë ai.
“Nëse ata nuk reagojnë në do të vazhdojmë me disa produkte konkrete pasi i kemi disa produkte që hyjnë në Kosovë. Tashmë i kemi marrë disa masa me Serbinë dhe dëshira ime do të ishte që masat të vihen në shtetet që nuk na kanë njohur”, përfundoi ai.