Ministri Hasani: Prioritet mbrojtja intelektuale, po luftojmë falsifikimin dhe piraterinë
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se po punon për forcimin e pronës Intelektuale si prioritet i ministrisë dhe si obligimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Ai ka thënë se bashkë me institucionet tjera po e luftojnë piraterinë dhe falsifikimin. “Falsifikimit të Produkteve; Piraterisë dhe dukuri të ngjashme, që janë preokupim dhe problem i shumë vendeve të botës, prandaj, është e një rëndësie të veçantë që këto dukuri negative të luftohen dhe në Kosovë”, ka thënë Hasani në konferencën për “Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale.
Ai ka thënë se pronësia intelektuale ka një rëndësi të veçantë ekonomike për biznesin dhe vlerësohet se 70 deri në 80 për qind e aseteve të një kompanie në vendet me ekonomi të bazuar në dije përbëhet nga pasuria jofizike ose kapitali intelektual.
“Ne do të jemi të fokusuar në ngritjen e sistemit të pronës intelektuale dhe miratimin e gjithë infrastrukturës ligjore të nevojshme, si dhe në ngritjen dhe fuqizimin e mëtejme të infrastrukturës institucionale duke rritur kapacitetet e tyre fizike dhe buxhetore për të ndaluar luftimin e dukurive negative të përdorimit të paautorizuar të markës tregtare; prodhimit, eksportimit dhe shitjes së patentave pa licencë; falsifikimit të produkteve; piraterisë dhe dukuri të ngjashme, që janë preokupim dhe problem i shumë vendeve të botës. Prandaj është e një rëndësie të veçantë që këto dukuri negative të luftohen dhe në Kosovë”, ka thënë Hasani.
Ai ka bërë me dije se Agjencia e Pronësisë Industriale gjatë vitit kalendarik të punës ka kryer apo printuar 9 900 dokumente dalëse që janë komunikime të drejtpërdrejta me aplikuesit dhe janë kryer mbi 29 000 procedura të brendshme.
/Epoka e re/