Ministri Hasani: Do të krijojmë trajtim sa më të mirë për punëtorët
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka thënë se duke ndihmuar dhe mbrojtur bizneset vendore mbrojmë dhe kujdesemi për punëtorët.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se këto tetë muaj sa është në krye të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka vizituar shumë kompani, ka takuar shumë punëtorë me të cilët ka folur për çdo hall që ata kanë gjatë punës.
“Kjo më ka shtyrë që të ofrojë mbështetjen time të parezervë për bizneset tona, por do të kërkojmë nga bizneset që të japin llogari para shtetit. Jemi të vetëdijshëm se jo çdo gjë është në rregull, por me punë të përbashkët do të krijojmë trajtim sa më të mirë të punëtorëve në çdo sektor”, ka shkruar ministri Hasani.
Ai ka shtuar se në Këshillin Ekonomiko-Social janë dakorduar për nivelin e ri të pagës minimale në Kosovë, që do të jetë një pagë më e dinjitetshme.
“Me aplikim e pagës minimale 250 euro, do të ulim edhe varfërinë Uroj që MPMH-ja ta sjellë sa më parë këtë ligj në Qeveri. Urime, 1 Maji!”, ka shkruar më tej ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani.
/Epoka e re/