Ministri Hasani u bën thirrje qytetarëve të Shqipërisë që ta vizitojnë Kosovën
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka pritur të premten në takim kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.
Ata kanë bërë thirrje që turistët nga Kosova të vizitojnë plazhet e Vlorës, kurse turistët nga Shqipëria të vizitojnë bukuritë natyrore të Kosovës.
Gjatë këtij takimi ministri Hasani ka kërkuar nga kryebashkiaku Leli që të organizohen vizita të nxënësve nga Vlora në Kosovë.
Hasani ka thënë se jo vetëm Vlora por edhe qytetet e tjera të Shqipërisë duhet të organizojnë vizita të nxënësve në Kosovë, në mënyrë që ta ndihmojnë turizmin e Kosovës.
Pas takimit, ministri Hasani ka thënë se kanë biseduar për çështje të ndryshme në interes të përbashkët e në veçanti për turizmin.
“U fokusuam më tepër në turizëm se mendoj që të dyja vendet kanë çfarë të japin. Edhe Kosova ka shumë burime. Këta e kanë bregdetin por edhe ne kemi shumë zona turistike”, ka thënë ministri Hasani.
Ai ka thënë se kërkesë e tij ka qenë që të bëhen sa më shumë lëvizje mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Ishte edhe një ide që nxënësit nga Vlora ta vizitojnë Kosovën”, është shprehur Hasani.
Kurse kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli është shprehur shumë i kënaqur me pritjen që i është bërë, duke thënë se këtu ka gjetur një partneritet që gjithsecili do ta dëshironte.
“Gjeta partneritet ashtu siç çdo kush do dëshironte ta kishte. Më vjen mirë që Kosova po bën që nxënësit të vizitojnë një herë në vit edhe unë do të bëj një gjë të tillë në Bashkinë e Vlorës që të vizitojnë Kosovën. Ne jemi një shoqëri që kemi tingujt e zemrës që na bashkojnë. Unë mbështes iniciativën e ministrit Hasani. Ngelet hapësirë të bëhet më mirën sepse në qoftë se nuk e shërbejmë njëri-tjetrin nuk do të mundemi të bëjmë biznes mes vete. Do të bëjë një organizim me birrat që bëhen në Kosovë në Bashkinë e Vlorës sepse duke e njohur traditën e secilit mund të bëhet më mirë. Ejani në Vlorë, Vlora është fytyra turistike e Shqipërisë. Vlora tanimë ka një pamje tërësish të të re me një infrastrukturë moderne”, ka theksuar ai.
/Epoka e re/