Ministri Hasani viziton fabrikën që u shkatërrua nga zjarri në Pejë
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bajram Hasani, të hënën ka vizituar fabrikën e peletit “Euro Maks shpk” e cila ditë më parë si pasojë e një zjarri është shkatërruar plotësisht.
Ministri Hasani gjatë kësaj vizite, ka thënë se qëllimi i tij kryesor është mbështetja e prodhuesve vendor dhe në këtë kuadër ka premtuar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për këtë fabrikë.
Ai ka shprehur keqardhje për dëmin që u është shkaktuar, por ka bërë me dije se duke i shfrytëzuar mundësitë ligjore do ta ndihmojnë edhe financiarisht rimëkëmbjen e këtij biznesi.
“Shprehim keqardhje që ka ndodhur kjo fatkeqësi. Prej fillimit të mandatit ne jemi zotuar se do t’i përkrahim prodhuesit vendor. Jemi këtu sot për ta parë gjendjen. Do t’i shohim të gjitha mundësitë për t’ju ndihmuar”, ka thënë Hasani.
Ndërsa njëri prej bashkëpronarëve, Blerim Muriqi, duke e falënderuar ministrin për vizitën ka thënë se presin një ndihmë nga Qeveria.
Sipas tij, vet ardhja e ministrit tregon se ekziston gatishmëria e MTI-së për t’i ndihmuar.