Ministri hungarez: S’e mbështesim bërjen e NATO-s bllok anti-Kinë
Hungaria nuk dëshiron që NATO-ja të bëhet një bllok “kundër Kinës”, dhe nuk do ta mbështesë këtë, tha të enjten ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.
Duke folur në margjinat e samitit të NATO-s në Uashington, Szijjarto tha gjithashtu se pranimi i Ukrainës në aleancën ushtarake do ta dobësonte unitetin në grup.
Në një draft të komunikatës përfundimtare të samitit të NATO-s në Uashington, Kina përshkruhet si një vend vendimtar që ia lehtëson Rusisë përpjekjet e luftës në Ukrainë, ndërsa nënvizohet se Pekini po vazhdon të përbëjë sfida sistematike për Evropën dhe për sigurinë.
Kina e ka quajtur komunikatën të njëanshme dhe “nxitëse të mosmarrëveshjeve”.
“NATO-ja është aleancë e mbrojtjes… ne nuk mund ta bëjmë atë bllok kundër Kinës”, tha Szijjarto për televizionin hungarez, duke iu përgjigjur një pyetjeje për përpjekjet e NATO-s për ndërtimin e aleancës në Indo-Paqësor.
Kina është partner i rëndësishëm tregtar dhe investues për Hungarinë. Vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian synojnë të bëhen më pak të varura nga Pekini.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, u takua me presidentin e Kinës, Xi Jinping, të hënën, për të diskutuar për një marrëveshje të mundshme për paqe në Ukrainë, pas vizitave në Kiev dhe në Moskë.
Vizita e tij në Moskë dhe takimi me presidentin rus, Vladimir Putin, i zemëroi disa liderë të BE-së, pasi blloku kërkon t’i shmangë kontaktet e nivelit të lartë me Moskën në lidhje me luftën në Ukrainë.
Në samitin e NATO-s, liderët u zotuan për mbështetje për Ukrainën, ndërsa në draftin e komunikatës u ritheksua mbështetja për Ukrainën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO.
“Pranimi i Ukrainës nuk do ta forconte, por do ta dobësonte unitetin e aleancës, sepse ka qëndrime plotësisht të ndryshme për anëtarësimin e saj”, tha Szijjarto.
Sipas tij, anëtarësimi i Ukrainës mund të krijojë rrezik për hapjen e një konflikti mes Rusisë dhe NATO-s. /REL