Ministri i Bujqësisë: Dëmet nga vërshimet janë të konsiderueshme
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka vizituar komunën e Mitrovicës, Zubin Potokut, komunën e Skenderajt, të Klinës dhe komunën e Istogut, për të parë nga afër dëmet e vërshimeve.
Ai ka theksuar se dëmet nga vërshimet janë të konsiderueshme.
“Në Mitrovicë e Zubin Potok vizitova bujqit e prekur nga këto vërshime dhe i inkurajova që t’i dokumentojnë ato e t’i dorëzojnë pranë Drejtorive për Bujqësi. Po ashtu përpos inspektimit të dëmeve nga fatkeqsitë natyrore tek bujqit, zhvillova takime me kryetarët; atë të Komunës së Klinës Zenun Elezaj, të komunës së Skenderajt Fadil Nura dhe të komunës së Istogut Ilir Ferati; të cilët më njoftuan në detaje për situatën sfiduese me të cilën po përballen komunat respektive”.
“Bashkëndjeva me qytetarët e prekur nga vërshimet, fatkeqsisht në Mitrovicë, Çabër, Skenderaj, Klinë dhe Istog; si dhe i sigurova ata se asnjë dëm nuk do anashkalohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Peci në “Facebook”.
Ai ka theksuar se nga ky vit, Komisioni i Dëmeve në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do t’i trajtojë të gjitha dëmet e shkaktuara nga fatkeqsitë natyrore përfshirë edhe dëmet në sektorin e bujqësisë.