Ministri i Drejtësisë bën thirrje që të nënshkruhet Pakti Kundër Korrupsionit
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga partitë politike që të mbështesin iniciativën e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të nënshkruajnë Paktin Kundër Korrupsionit.
Ai ka thënë se lufta kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin nuk luftohet vetëm nga organet e drejtësisë, por edhe nga parandalimi i kulturës abuzive dhe shfuqizimi i akterëve të korrupsionit.
“Nisma e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli, e prezantuar dje si Pakt Kundër Korrupsionit, shënon një momentum të ri kundër korrupsionit, nepotizmit dhe abuzimit. Si i tillë, ky Pakt është në përputhje me frymën e ndryshimeve ligjore që kam ndërmarrë në dy vitet e mandatit si ministër i Drejtësisë dhe në frymën e dekriminalizimit të sferës politike, çështje mese e domosdoshme për të siguruar një qeverisje efikase, të përgjegjshme dhe llogaridhënëse”, ka deklaruar Tahiri.
Sipas tij, një përpjekje e tillë, duhet të jetë shembull i politikbërjes dhe standard i përhershëm në mes të subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhjet e tetorit e po ashtu një standard që duhet të vlejë në çdo periudhë vijuese.
Tahiri ka thënë se është jetike që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin për përfaqësim kandidatë me integritet të cilët nuk janë të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit dhe që nuk kanë rënë ndesh me ligjin.
“Me këtë rast i ftoj të gjitha partitë politike që të ndjekin shembullin e z. Veseli dhe të nënshkruajnë Paktin Kundër Korrupsionit, si shprehje e vendosmërisë dhe gatishmërisë për të ndërtuar një frymë të re politike kundër korrupsionit, kundër abuzimit me pushtetin dhe shkaqeve që mundësojnë keqpërdorimin”, ka theksuar ai.
/Epoka e re/