Ministri i Drejtësisë: Ka ardhur koha të vihet drejtësi për viktimat e luftës
Pas takimit të delegacionit të Kosovës, të kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq sot në Bruksel, ka folur edhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi.
“Si përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, sot isha pjesë e delegacionit kosovar, të udhëhequr nga Kryeministri Hoti, në takimin e parë të rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, ku fokus diskutimi ishte tema e personave të pagjetur dhe bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve”, ka shkruar ministri Selimi në Facebook.
Ai ka thënë se Kosova është e gatshme për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese, që nënkupton njohjen ndërmjet dy shteteve në kufijtë ekzistues.
“Tani është koha për të arritur progres dhe për mbylljen e çështjeve të hapura ndërmjet dy shteteve, adresimin e dëmeve të luftës dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat”, ka thënë ministri i Drejtësisë.
Ndryshe, takim mes Hotit dhe Vuçiqit është zhvilluar në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Ky është takimi i parë i drejtpërdrejtë i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit, pas më se 20 muajsh.
https://www.facebook.com/selimselimiks/posts/144471453953974