Ministri i FSK-së në Maqedoni: Synojmë anëtarësimin në NATO
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha, ka qëndruar të premten në Shkup, ku ka takuar ministren e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet në të dy vendet, situatën e sigurisë, bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Ministri Berisha ka njoftuar homologen e tij me procesin e transformimit të FSK-së në ushtri, duke përmendur edhe tri projektligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës.
“Ne, si Forcë e Sigurisë së Kosovës, jemi zotuar që do të jemi faktor stabiliteti dhe ofrues të sigurisë në rajon dhe më gjerë. Synimi ynë është anëtarësimi përfundimtar në NATO”, ka thënë Berisha.
Ndërsa ministrja maqedonase, Radmilla Shekerinska është shprehur e kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me Kosovën.
Ajo ka shfaqur interesim lidhur me procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe ka shprehur dëshirën për të vazhduar me traditën e takimeve të përbashkëta në mes dy ministrave përkatës të dy shteteve.
Gjatë vizitës në Shkup, ministri Berisha ishte i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë për Politika dhe Plane, Faruk Geci, këshilltari ushtarak nënkolonel Hisen Berisha dhe këshilltari i tij, Ilir Murtezi, derisa do të kenë takim të veçantë edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.
/Epoka e re/