Ministri i Gjermanisë, Cakajt: Shqipëria e meriton hapjen e negociatave për anëtarësim në BE
Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Jashtme Federale, Michael Roth, ka rikonfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkim Evropian (BE), duke theksuar se “Shqipëria ka avancuar shumë në rrugët e integrimit dhe meriton hapjen e negociatave”.
Këtë deklaratë Roth e ka bërë gjatë takimit me ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.
Në këtë takim Cakaj e Roth kanë diskutuar për ecurinë e reformave në kuadër të procesit të integrimit dhe hapjes së negociatave.
Cakaj ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë dhe po i jep Shqipërisë, çka rikonfirmon rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Ai ka falënderuar ministrin Roth për mbështetjen e Gjermanisë, si dhe për kontributin personal të tij.
Ndërsa, ministri Roth ka rikonfirmuar mbështetjen e Gjermanisë, e cila mbetet maksimalisht e angazhuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe ka vlerësuar se për këtë, respektimi i institucioneve demokratike dhe kushtetuese është themelor.
Ministri gjerman ka vlerësuar ritmin e reformave dhe inkurajoi autoritetet shqiptare të vijojnë me punën e mirë që është bërë. “Shqipëria ka avancuar shume në rrugët e integrimit dhe meriton hapjen e negociatave”, ka thënë ministri Roth.
Ai ka konfirmuar se Gjermania mbetet një mbështetëse e fuqishme e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.