Ministri i Jashtëm i Bosnjës: Taksa e Kosovës në kundërshtim me parimet e tregtisë së lirë
Ministri i Jashtëm i Bosnjë dhe Hercegovinës, Igor Crnadak, tha të mërkurën se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu vënë taksë importeve nga Bosnja është në kundërshtim të plotë me parimet e tregtisë së lirë në rajon, si dhe me parimet e përgjithshme të marrëdhënieve rajonale.
“Ndaj këtij vendimi të autoriteteve në Prishtinë, Bosnja do të reagojë në kuadër të CEFTA-s – Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë midis vendeve të Evropës Qendrore. Unë po ashtu do të kërkoj që ky vendim i Prishtinës të futet në rend dite në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet më 29 dhe 30 nëntor në Mal të Zi”, tha Crnadak, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Të martën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e taksës doganore mbi mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Kjo masë nënkupton taksën prej 10% në të gjitha importet me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja.
Ndaj saj reagoi të mërkurën edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili tha se masa është mesazh i Prishtinës për Bashkimin Evropian që t’iu miratojë qytetarëve kosovarë liberalizimin e vizave.
“Nuk kemi çfarë të ndërmarrim. Kjo është mënyra se si funksionon Prishtina”, tha Daçiq për gazetarët në Beograd.