Ministri i Jashtëm i Maqedonisë: Referendumi doli i suksesshëm
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, ka thënë se referendumi i së dielës në këtë vend doli i suksesshëm, sepse, siç u shpreh, për marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit u deklaruan mbi 600 mijë qytetarë.
Dimitrov i bëri këto komente edhe pse pjesëmarrja në referendum nuk e kaloi pragun e nevojshëm prej mbi 50 për qind.
“Nëse nga mbi 650 mijë qytetarë që dolën në referendum, mbi 600 mijë kanë votuar ‘për’, ky është mandat i qartë politik që Maqedonia të ecë para. Fitore më e madhe nga cilado fitore e ndonjë partie politike”, ka shkruar Dimitrov në një postim në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se tani mbetet të dëgjohet vullneti i popullit nga ana e deputetëve në Kuvend.
“Ua kemi borxh qytetarëve të ardhmen. Edhe do ta sigurojmë, në një mënyrë ose tjetër”, ka thënë Dimitrov.
Ai është njëri nga nënshkruesit e marrëveshjes me Greqinë, për ndryshimin e emrit të shtetit të tij në Maqedonia e Veriut.