Ministri i Jashtëm i Turqisë viziton Bashkësinë Islame të Kosovës
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Çavusoglu.
Myftiu Tërnava ka falënderuar ministrin Çavusoglu për këtë vizitë, duke shprehur falënderimet më të sinqerta për qeverinë turke, presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan dhe DIJANET-in për ndihmën e pakursyer që po japin për Kosovën dhe popullin e saj.
Ai vlerësoi lart marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Më pas, myftiu Tërnava njohu mysafirin me aktivitetet e BIRK-ut dhe rolin e këtij institucioni që ka për jetën fetare në vend, duke theksuar se ky institucion ka dhënë dhe po vazhdon të japë maksimumin që vendi ynë të jetë një vend i qetë dhe ku të gjithë pjesëtarët e komuniteteve fetare të jetojnë në harmoni dhe në paqe ndërmjet vete.
Myftiu po ashtu përmendi edhe bashkëpunimin e ngushtë që ka me ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Turqisë, Melvut Çavusoglu falënderoi myftiun Tërnava për pritjen dhe çmoi lart angazhimin e BIRK-ut dhe të myftiut për prosperitet dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Ai premtoi se ndihma e Turqisë për popullin e Kosovës do të vazhdojë edhe më tutje dhe se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Turqisë do të intensifikohet edhe më shumë.